Πέμπτη 15 Σεπτεμβρίου 2011

A KANË EKZISTUAR PELLAZGET?

Në tërë kohërat, dhe në vetë qarqet shkencore, problemi pellazgjik, aq shumë i debatuar sot në publikun e gjerë shqiptar, gjithmonë është shfaqur si një lëmsh-shtjellë e mugët, ardhur turbull që nga parahistoria njerëzore me pikëpyetjet dhe kompleksitetin e vet, duke përbërë për shumë popuj të Ballkanit - të zhdukur a të mbijetuar, e në radhë të parë për popullin iliro-shqiptar -, një pikënisje të brishtë historike, me themele ende të lëkundura. Ai shfaqet sakaq edhe si një nyje gordiane që shkencat nuk kanë arritur dot ende ta zbërthejnë e t’i japin drejtimin e duhur. Edhe sot e kësaj dite, me një gjykim të ftohtë, pa paragjykim e eufori, pyetja mbetet e shtruar në vetë thelbin e saj : A kanë ekzistuar pellazgët? Ç’gjuhë kanë folur? Ku kanë pas qenë? A kanë qenë etnos kompakt apo shumësi etnish? A kanë lidhje me etruskët?, etj. etj.

Në fakt, dihet që shkenca jonë albanologjike, si dje dhe sot, vazhdon të ketë për detyrë parësore të argumentojë fuqimisht lidhjen iliro-shqiptare në të gjitha drejtimet dhe ky objektiv madhor do të mbetet edhe për shumë kohë prioritet i shkencave tona albanologjike. Shqipja, si degë më vete e trungut indoevropian, në familjen e gjuhëve satem, do të jetë kështu përherë strumbullari i vetvetes, me vendin e nderuar që zë në këtë familje.

Veçse, nëse do të guxohej të tejkalohej, të themi ky objektiv fisnik, të shkohej, për shembull, më në thellësi të kohërave, pra të dilej jashtë kuadrit themelor të albanologjisë së sotme, nëse do të kuturisej për shembull, të hidhej vështrimi përtej parailirëve, qoftë edhe përpara apo gjatë dyndjeve pano-ballkanike, dorike a egjeane, pra në kapërcyell të mijëvjeçarit të tretë p.e.s., për mendimin tonë, kjo përçapje nuk do të thotë aspak lajthitje, mjerim shkencor a trill, apo pure fantaisie. Vetë emra të njohur të albanologjisë po e përmendin sot, qoftë edhe me shumë rezerva apo me një fije zëri, hipotezën pellazgjike parailire.

Kohët e fundit, i nderuari Prof. Sh. Demiraj, në veprën e tij bazike titulluar “Epiri, pellazgët, etruskët dhe shqiptarët” (2008), analizon me rigorozitet shkencor ligjet e fonetikës, për të theksuar se shqipja e sotme kurrsesi nuk i ngjan shqipes së para 4000 vjetëve. Nga ana tjetër albanologu ynë i madh i referohet personaliteteve të indoevropianistikës, si Kretschmer, Budimir, van Windekens etj. që pranojnë ekzistencën e një popullsie paragreke dhe që i përkiste familjes së tribuve indoevropiane ose joindoeuropiane. Këta e kanë pagëzuar këtë popullsi me emra të tillë si “protoindoeuropianë”, “pellazgë”, “palastë”; etj. (f. 29.). Prof. Demiraj ngulmon se për pellazgët “nuk kemi dëshmi gjuhësore të drejtpërdrejta, me përjashtim të mbishkrimit të ishullit Lemnos... dhe të disa toponimeve paragreke që nuk shpjegohen dot me evolucionin e sistemit gjuhësor të greqishtes” (f. 32).

Prof. Korkutaj në veprën “Parailirët-ilirët-arbërit” i sheh pellazgët si hallka para-ilire, ndërsa prof. K.Frashëri thekson “se ka çështje të diskutueshme jo vetëm për parahistorinë e ilirëve, por edhe për etnogjenezën e shqiptarëve” (e njëjta vepër, Toena, Tiranë, 2003, f. 8).

Prof. Ceka e Korkutaj në veprën “Arkeologjia”, 1998, në f. 85 vënë në dukje : “Është pranuar se fiset greke vijnë me dyndjen indoevropiane në fillim të epokës së bronzit, rreth 2000 vjet p.e.r. dhe u vendosën në pjesën më jugore të gadishullit dhe në ishujt e Egjeut, ku banonte më parë një popullsi e tipit pellazg, e cila kishte zhvilluar kulturat e veta të përparuara, siç ishte ajo e Kikladeve ose e Kretës”.

Prof. Dh. Pilika, nga ana e tij, do të mbetet i pavdekshëm si pellazgologu më i madh shqiptar me veprën e tij “Pellazgët – origjina jonë e mohuar”. Por, duke i lënë mënjanë titullarët tanë, le të themi se ende muret pellazgjike ciklopike të Dodonës vazhdojnë të intrigojnë shkencëtarë e turistë me atë konstruksion po aq të përsosur sa të piramidave të Egjiptit, ku nuk depërton as tehu i thikës.

A kemi të drejtë në këtë rast të rishtrojmë pyetjen në kanë ekzistuar vërtet pellazgët dhe “pellazgia”?! Po ku, kur? Në pellgun e Mesdheut, thonë tërë autorët e lashtë, nga Homeri, Herodoti, Thici, Aristoteli, Diodori, Straboni, Dionisi e gjer tek Plini e Justiniani.

Në fakt, është shumë e thjeshtë të rreshtohen këtu, për mbrojtjen e kësaj teze, krahas autorëve klasikë, mori studiuesish, eruditësh, shkencëtarësh që lulëzuan gjatë shekujve XVIII-XIX dhe që flasin fort e fuqimisht për pellazgët. Mirëpo, përsëri këtu, një pyetje lind me të drejtë: përse pikërisht shekulli XIX u bë epoka e artë e “tezës pellazgjike?” Dihet se gjatë këtij shekulli u bënë zbulimet më të mëdha në egjiptologji, asirologji dhe në fushën e parahistorisë evropiane, u zbuluan kulturat e Egjeut, në Kretë, Mikenë, Tyrin, Trojë (Azi e vogël), u zbulua kultura e hitite me Hatusin e famshëm gjithë pllaka të shkruara balte, u bënë zbulime në Finiki e Siri, u zbulua kultura etruske, duke u bërë kështu, falë këtyre arritjeve, përcaktimi i kulturave kryesore evropiane.

Çuditërisht, ndërsa bëheshin tërë këto zbulime kulturash neolitike e bronzike, mbi bazën e thënieve të autorëve të huaj, madje edhe thjesht mbi bazën e mitologjisë, ndërsa flitej për shumë etnogjeneza popujsh evropianë (përfshirë edhe popullin shqiptar), “nuk” u zbulua asgjë pellazgjike, veç ndoca mureve të Dodonës që na ngelën historikisht memece. Nuk do vononte dhe shekulli XX do parapëlqente të shpallte se, me sa duket, “nuk” na paska kulturë pellazgjike konkrete në krejt Egjeun e Mesdheun, por se përkundrazi, ka një shumësi kulturash, ku teza pellazgjike do dukej “e shkrirë si kripa në ujë”.

Megjithatë, edhe kjo arritje u pa me mjaft skepticizëm nga një pjesë tjetër dijetarësh, që vunë re të shfaqej një “element i jashtëm”, me ndikim jo të vogël : Prof. John J. Wilkes, i Institutit Arkeologjik të Londrës, në veprën e tij “Ilirët” (Bacchus, 2005), tek shpreh admirimin për Arthur Evans sheh se si ky talent i rrallë i shkencës arkeologjike u viktimizua më se një herë, deri edhe me burgosje, tek binte ndesh me pazaret e Kongresit të Berlinit të Fuqive të mëdha për të zgjidhur çështjen lindore, dhe se vazhdimisht studimet e tij arkeologjike janë të ndërthurura me komente për çështje politike të kohës, (si gërmimet në Knossos, etj). dhe se “puna e tij në kërkim të ilirëve, shumë shpejt u pa e lidhur me çështjen e lirisë së sllavëve - lëvizje në të cilin ai zuri të luajë një rol kryesor” (f. 28). Pra, në këtë shekull, e jo vetëm në këtë shekull, paskemi edhe një ndërthurje të fortë të shkencës e të arritjeve të saj me qëllimet dhe synimet e politikave të përcaktuara evropiane. Ka të ngjarë, në këtë rast, (dhe s’ka pse të mos hamendësojmë kësisoj, për deri sa dihet si u ndanë aq padrejtësisht kufijtë në Ballkan në kapërcyell të shekujve XIX-XX, sidomos në kurriz të shqiptarëve), që një qëndrim i tillë nuk duhet të jetë pa gjë edhe për sa i përket tezës pellazge, para-ilire a para-greke. Sepse shumë nga ithtarët e “pellazgjisë” do të binin në surdinë.

Do rridhte ujë dhe albanologjia e shekullit XX, me të drejtë, do orientohej kryekëput drejt ilirologjisë dhe studimeve iliro-shqipe, gjë që mori karakter të theksuar me zbulimet e mëdha arkeologjike të viteve 60-70 shoqëruar nga tërë ajo hopje cilësore në krejt fushat albanologjike. Domosdo S. Konda, Majani e të tjerë do shiheshin si të prapambetur, të tejkaluar në kohë, madje edhe do përçmoheshin, sepse kishin dalë jashtë sferës “shkencore” iliro-shqiptare, për të mos thënë se na paskeshin tejkaluar objektivin madhor me njëfarë “lajthitjeje” të radhës.

Çuditërisht, me fillimet e demokracisë, në Shqipëri, shpërtheu një dyndje e fuqishme botimesh për etnogjenezën e lashtë të popullit tonë, duke e parë këtë të lidhur ngushtë me teorinë pellazgjike parailire. Vështrimi hidhet kësisoj përtej, në parahistorinë ilire dhe detyrimisht në vetë atë që është cilësuar parashkencë, duke dalë kështu jashtë njëfarë formati të inkuadruar të shkencave albanologjike. Mirëpo në këtë mes, për fat të keq, nuk mungojnë as autorë sharlatanë që, në emër gjoja të krenarisë së shkuar parailire, në mënyrë groteske dhe pa kurrfarë skrupulli do shpallin se “ne shqiptarët jemi të parët në Ballkan, Evropë e më tej, jemi kërthiza e saj, se krejt mitologjia dhe vetë perënditë nuk flasin veçse shqip”! U hallakatën kështu mendjet, por me pasojën e rrezikshme të njëfarë krenarie egocentrike, tek “lartëson” me eufori dhe artificialisht vetveten si komb, në kurriz të të tjerëve.

Po përse vallë kështu? Me sa duket, e shkuara komuniste 50 vjeçare ka rënduar kaq ashpër në ndërgjegjet e njerëzve tanë sa, me hapjen demokratike, u hapën edhe sytë për të parë që vërtet ishim, për sa i përket zhvillimit shoqëror, në bisht të shoqërisë së zhvilluar evropiane. Ishte pra, njëfarësoj, një krizë e ndërgjegjes, deri edhe kombëtare, për të kërkuar vendin tonë të denjë nën diell, e domosdo edhe identitete reale a ireale në thellësi të kohërave, gjë që nuk ishte hera e parë në historinë tonë. Në fakt, zgjimi i ndërgjegjes kombëtare me Rilindasit tanë kishte kaluar pikërisht nëpër atë udhë dhe ia kishte arritur qëllimit. Pra, njeriu i thjeshtë shqiptar, në kohët e sotme, tek zbuloi mollën bukuroshe të mirëqenies në kopshtet e Edenit të Evropës, ndjeu njëkohësisht edhe njëfarë krize të vetvetes, njëfarë boshllëku dhe njëfarë inferioriteti shpirtëror, por kurrsesi jo mendor, intelektual, artistik etj. Pra, njeriu ynë, i vendit dhe i diasporës, sikur ndjeu nevojë, të themi, për një Ri-Rilindje të vetvetes, mbi të gjitha shpirtërore e kulturore, krahas lirisë demokratike që arriti. Iu sul atëherë me eth, epsh, hov e hopje, së shkuarës së tij, deri edhe parailire e mitologjike.

Mirëpo Evropa tanimë, gjatë shekullit XX, i kishte vënë pikat e veta mbi -i-, sidomos në drejtim të gjeopolitikës së saj (zgjidhja e fundit Kosova), mbi bazë postulati : gjithë popujt evropianë janë të lashtë, fryt mbijetese të historisë, asnjë s’ka zbritë nga qielli, por ka vetëm lëvizje, shpërngulje, pleksje racash e popujsh përgjatë gjithë historisë së tyre. Shmangej në këtë mënyrë teza e çdo lloj përparësie etnike, sidomos në fuçinë Ballkan, tezë që mbetet këtu përherë e rrezikshme, ndërkohë që synohet drejt Evropës së Bashkuar. Ja, për sa i përket politikës evropiane, duke u mbështetur në një të shkuar historike të përbashkët të popujve të saj, me luftëra, asimilime, përzierje, zhdukje e mbijetesë popujsh, të paktën që nga dymijë vjeçari i fundit para erës së re. Dhe pikësynimi i saj politik është këtu më se i qartë: të arrihet e ardhmja e përbashkët e popujve evropianë, me mozaik etnish, kulturash, historish, etj. që përbëjnë vetë thesarin e kontinentit të lashtë, pa hasmërira e armiqësira të së shkuarës, pa përparësira historike.

Si parashtruam edhe këtë objektiv madhor politik evropian, le “të kthehemi tani te delet tona”, për të parë konkretisht çështjen që na intereson, pellazgët.

Shumë pyetje të djegin majën e gjuhës për të ditur në fakt nëse kanë apo nuk kanë njëfarë baze logjike, historike, shkencore tezat, hipotezat, teoritë, shkollat e ndryshme rreth ekzistencës së popujve para-gjermanikë apo para-indoevropianë, e në këtë mes edhe rreth hipotezës pellazgo-etruske paragreke-parailire. Siç dihet, ende nuk mund të quhet i shterur përfundimisht studimi krahasues i gjuhëve të lashta brendapërbrenda familjeve të gjuhëve indoeuropiane, po ashtu, edhe vetë nëntoka me të papriturat e saj që vijnë nga parahistoria, nuk ka si të shterë, pavarësisht nga arritjet në mjaft fusha, arkeologji, toponimi, onomastikë, etj. Burim i pasur për eksplorim të përhershëm mbeten nga ana tjetër etnogjenezat kulturore, e në mënyrë të veçantë ajo e popullit tonë, që nga polifonia, e cila tingëllon si një këngë kolektive homerike, gjer tek ajo veshje e lashtë e çuditshme e xhubletës sonë të malësisë, që vjen si relikte e do kohërave të shkuara, me saktësinë e vet milimetrike të mijëra sytheve që ka, duke na dhënë atë formë të mahnitshme të konit, me tërë ato simbole të veçanta, e duke na shprehur një gjuhë ende të padëshifruar me brezarët e përparëset e saj, për të cilat flet me pasion koleksionistja e xhubletave shkrimtarja dhe poetja Luljeta Dano.

Nuk ka si të mos çuditemi që teksa parathënia e Historisë së Shqipërisë (vëll. I, 1959, f. 28-29) përmend, qoftë edhe shkarazi, tezën pellazgjike (ku citohen krahas Shlaiherit, Shtirit, Hanit etj. edhe tërë Rilindasit tanë), botimi i ri i Historisë së popullit shqiptar (vëll. I, 2002) e fshin krejt termin “pellazgjik” sikur ky term të ndjellë sot murtajë. Dhe me këtë rast do ndiheshim disi në siklet për të kuptuar në ka apo nuk ka të drejtë studiuesi dhe përkthyesi ynë i talentuar P. Zheji tek “aventurohet” në terrene të shkelura gjer më sot, me metikulozitet e fantazi savante, në dy vëllime të tëra për studimin krahasimor “Shqipja dhe sanskritishtja”. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për prof. Sh. Sejdiun me sprovat e veta etimologjike që u qëndron besnik parimeve të semantikës dhe linguistikës logjike si dhe të kërkimit deduktiv. Edhe pse mund të shfaqet një skepticizëm stoik apo thjesht një ngritje supesh në qarqe shkencore, përsëri nuk ka si të mos ndjesh sadopak respekt për nismën dhe guximin e këtyre studiuesve për t’i hyrë lëndës së panjohur me llërë fort të përveshura, mbështetur në dhjetëra referenca bibliografish nxjerrë nga studiues të huaj.

Në fund të fundit, është e pamohueshme se autorët klasikë greko-romakë të scripta manent, që qëndrojnë në themel të trashëgimisë historiko-kulturore evropiane, në pjesën dërrmuese të tyre, gjithnjë parashtrojnë ekzistencën e pellazgjisë. A duhet hedhur, në këtë rast poshtë, kategorikisht e globalisht, hipoteza e ekzistencës së saj, si e pavërtetuar nga arritjet e derisotme shkencore, apo pse jo, ndoshta edhe si e paragjykuar nga ndonjë “politikë e paracaktuar”, të themi? Po sikur e ardhmja të zihet rob një ditë nga vetë arkivi ende i pazbuluar e i paeksploruar përfundimisht i së shkuarës thesar? Po sikur të thyhen një ditë tërë tabutë e paragjykimeve?

Nga ana tjetër, nuk ka si të mos merret parasysh që mjaft autorë e studiues të huaj të shekullit XIX, lidhur me lashtësinë e shqipes e të shqiptarëve, dhe në favor të tezës pellazgjike, shfaqen, në radhë të parë e mbi të gjitha, si personalitete me goxha peshë të rëndë në fushat e tyre përkatëse shkencore, duke filluar që nga danezi Conard Malte-Brun e deri tek August Fridrih Pot e Hani, ky i fundit tek guxon madje ta shohë ilirishten si gjuhë pellazgjike në kuptimin e gjerë të fjalës, sikurse popujt e tjerë, epirotët e maqedonët që ishin “barbarë” e jo-grekë, të tërë këta të prejardhur nga pellazgët. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për eruditin dhe anëtarin e Akademisë së Mbishkrimeve të Francës Louis Benloew (që mbante lidhje të fuqishme me De Radën e Dora d’Istrian), për etnografin Ami Bue, për arkeologun August Degrand, për të famshmin gjeograf Elisé Reclus, për gjuhëtarin e madh August Shlahier, për profesorin e gjuhësisë indoevropiane Paul Kretshmer, etj.

Të tjerë autorë, që nuk na shfaqen drejtpërdrejt si personalitete madhore në fushën e indoepuropianistikës e të gjuhësisë, si Pukëvili, Ed. Shnajder, Hecquard, Ksilander, Hobhauz, Lik, Rajnhold etj. etj. kanë vlerat e tyre të padiskutueshme në fushën e shkencës, dhe veçanërisht në atë të Albanologjisë. Ata nuk ishin thjesht apo vetëm mjekë, inxhinierë, juristë, topografë, ushtarakë a letrarë. Të paktën Napoloni diti të thithë të tillë njerëz me peshë për t’i dërguar anë e kënd, gjer tek Ali Pasha e Mehmet Aliu ynë, e për të mbushur kështu pararojën e vet ushtarake gjatë ekspeditës në Egjipt! Të tërë këta, me të drejtë, zënë vendin e tyre të nderuar e merituar në Historinë e Albanologjisë.

E njëjta gjë mund të thuhet po ashtu për krejt Rilindasit tanë, që ishin para së gjithash e mbi të gjitha ideologët e zgjimit kombëtar dhe jo thjesht e vetëm poetë e letrarë. Rilindja jonë nuk është aspak fryt letraresk e poetesk, por është, siç dihet, një rrymë e fuqishme ideo-politike, historike e shoqërore që çoi peshë zemrat shqiptare për arritjen e suksesit të dëshiruar shumëshekullor. Tërë rilindësit ishin figura komplekse erudite, që nga De Rada, filolog i klasit të parë, të gjithë ditën ç’thanë e ç’bënë, për të arritur Qëllimin e madh me të gjitha mjetet e patriotizmës e shqiptarizmës. Rilindësit tanë, burimorët e pashtershëm të shqiptarizmës, qoftë edhe me romantizmin patriotik, guxuan mrekullisht të hedhin sytë në mijëvjeçarët e shkuar të historisë - domosdo edhe drejt pellazgjisë -, për të sjellë pishtarin e saj të lashtë për atë zgjim kombëtar. Dhe ia arritën. Dhe mirë bënë. Dhe frytet e tyre i vjelim sot.

Sot, në shek. XX e fillim të XXI-shit, mjaft autorë i janë rikthyer tezës pellazgjike. Eruditi Edwin Jacques në veprën madhore “Shqiptarët” i kushton një syth të tërë origjinës pellazge të gjuhës shqipe. Po ashtu, nuk mungojnë reflekse pasqyruese të kësaj teze në veprat e N. Clayer, S. Métais etj. për shqiptarët, që guxojnë të hedhin vështrimin tutje, përtej ilirëve. Sakaq, prof. i shquar i Universitetit të Paris-Sorbonës Dominique Briquel, në disa vepra madhore (si “Pellazgët në Itali”, 1984) do ndalet jo thjesht tek pellazgët, por edhe tek etruskët dhe lidhjet iliro-epirote të tyre. Veçse Brikel, nëse është një personalitet shkencor i shquar francez, është, “çuditërisht”, edhe autori i prezantimit të librit të Mathieu Aref-it “Shqipëria, - historia e gjuha – apo odiseja e pabesueshme e një populli parahelenik”, vepër aq shumë e përbujshme publike në Shqipëri, por edhe aq shumë e përfolur dhe e zhvlerësuar në qarqet shkencore. Ja se çfarë thotë D. Brikel në parathënie të librit : “Vepra e Mathieu Arefit përfshihet në vazhdën e këtij hulumtimi [të zanafillës pellazgjike] dhe nuk është pra e zhveshur nga precedentët shkencorë” (nënvizimi ynë). A ka më troç e shqip se kaq? E megjithatë, ky studiues vazhdon të trajtohet i mbyllur hermetikisht brenda kuadrit të fantazisë a dilentantizmi “shkencor” nga ana e qarkut albanologjik shqiptar. Po edhe sikur vepra e tij apo e të tjerëve të së njëjtin kallëp të hidhet poshtë shkencërisht në emër të scripta mantent, a nuk përmban ajo një fije minimale shkencë, qoftë edhe atë “një përqindësh” të precedentëve shkencorë për të cilën flet prof. Brikel?

E njëjta gjë edhe për veprën e R. d’Angély-së “Enigma”, që ndoca prej albanologëve tanë të hidhen në fyt po ta zësh në gojë, por që publiku shqiptar e sheh me zemër tepër të gjerë, deri në adhurim. Po kush është në të vërtetë d’Angély? Ai është në radhë të parë e mbi të gjitha një erudit i përsosur, njohës i mbi dhjetë gjuhëve të lashta! Njeh në themel persishten, turqishten, arabishten, sanskritishten, greqishten e lashtë dhe latinishten, pa folur për gjuhët e tjera indoevropiane, të cilat i zotëronte me mjeshtëri, tek zhytej në thellësi të kohërave parahistorike dhe drejtpërdrejt nga autorët antikë. Dhe këtë, vetëm e vetëm për parailirinë apo pellazgjinë shqiptare !

Kohët e fundit, Jean Faucounau, matematicien e gjuhëtar, anëtar i Shoqërisë Linguistike të Parisit, ka botuar librin “Proto-jonianët, historia e një populli të harruar” (Hartman, 2001) dhe tek orvatet të argumentojë vendosjen e helenëve të parë në Greqi e të zbërthejë diskun e Fastosit, sheh mes Qikladeve popullsitë e lashta “të njohura me emrin “Pellazgë””. “Ky emër - citojmë autorin -, zbulon vetë origjinën e këtyre popujve: bëhet fjalë sigurisht për pasardhësit pak a shumë të mitizuar të Proto-jonianëve (helenët e parë, shën. përkth.). Sepse, edhe pse ekzistojnë disa vështirësi fonetike, duket e pamundur të mos lidhësh fjalën greke “Pelasgoi” me termin “pelagos” që do të thotë “përtej detit”. Me fjalë të tjera, “Pelasgoi” (fjalë e ardhur nga Pelag-skoi?) ishin marinarët që shkonin përtej detit, domethënë Protojonianët” (fund i citatit, f. 124). Nuk ka më bukur për autorin francez që i ka përcaktuar vetes misionin fisnik për të parë tek pellazgët vetëm protojonianët e protohelenët, duke lënë kështu mënjanë protoilirët, apo “barbarët” e maleve të Epërme të Epirit, të asaj “terra ferma-s apo kontinentit” të fjalës greke epiros. Në fund të fundit, e madhërishmja dhe brilantja Dora d’Distria nuk bëri gjë tjetër veçse i futi gjithë admirim të përkryer edhe vetë helenët në të njëjtën familje pellazgjike, përkrah stërgjyshërve të shqiptarëve dhe ilirëve. Mirëpo, përse ne, shqiptarët, të mos paskemi të drejtë të shohim në vetë fjalët e mësipërme të Fokunosë “Pelag-skoi”, fjalët shqipe të sotme “Pelag shkoi, Për larg shkoi”, përderisa vetë autori e paska të drejtën për të bërë një interpretim të tillë shi në këtë drejtim? Për më tepër që vetë autori pellazgët i shihka si pasardhës të protojonianëve (mikenasve, etj.) të Detit Jon? Ja një hamendësim nga ana jonë. Mund të hidhet menjëherë poshtë ky hamendësim për të thënë “JO” kategorikisht, sepse “shkoi-skoi, larg”, fonetikisht para 4 mijë vjetësh nuk janë thënë kështu në ilirishte a pellazgjishte, por kanë ndjekur ligjet e rrepta të fonetikës evolutive. Edhe këtu një çudi! Teksa pretendohet nga mjaft autorë të huaj që shqipja e shek. XIX dhe ajo e sotmja (gegërishtja sidomos), është ruajtur në gjendje fosile që prej mijëvjeçarësh, teksa merren për bazë fjalë shqipe të sotme (“ëmë, vëlla, motër, bir, bij, njeri, ari, ulk, dimër, dieg”, mal etj. - me të barasvlershmet e tyre indoevropiane -, psh. motër-mater, mat, mutter, mother;) menjëherë gjithë ngutje për shqipen do vihet si barrierë penguese apo infiltruese ligji i saj evolutiv fonetik. E njëjta gjë psh. edhe për udh (shqip), odh-os (greqisht) nga ku i famshmi Odhise-Udhëtari. Ama greqishtja këtu e kudo bëhet mëma e fjalës dhe e krejt etimologjisë greko-latine të trashëguar, në emër të së shkruarës së parë (scripta manent), kurse shqipja do avullojë në verba volant dhe as që do merret më parasysh, në emër të shkencës, formula e parë biblike: “Në fillim qe Fjala”, ajo fjalë e parë onomatopeike e monosilabike e krejt Homo Sapiensit kolektiv dhe e popujve të lashtë, të zhdukur e të pazhdukur, e mitologjive apo e legjendave.

Ka një merak të madh tek albanologët tanë se po të aventurohemi në parahistori me parashkencë, d.m.th., tek pellazgët e parailirët, ne shqiptarët mund të dilkemi si ardhacukë, gjoja me origjinë nga Azia e Vogël, nga Kaukazi, apo nga vetë zemra e Afrikës, e në këtë rast kjo do shpinte ujë në mulli të ndoca studiuesve serbë (që u kthyekan kështu për ne në rolin e dordolecit!), pikërisht për të mos i parë shqiptarët si autoktonë denbabaden. Në fakt, ka albanologë të shek. XIX (Benloew, etj) që i mëshojnë kësaj teze. Asgjë të keqe nuk ka në këtë mes, kur njihet parimi bazë shkencor për të marrë fillimisht çdo gjë me rezervë dhe jo të mirëqenë, po kur edhe vetë ky parim zbatohet pa njëanshmëri. Historia evropiane etj. është e mbushur me shtegtime e lëvizje popujsh, kush më parë e kush më vonë. Po edhe sikur të kenë shtegtuar protoilirët tanë, kjo është në kuadër të atyre lëvizjeve të famshme të indo-europianëve të kohës së bronzit, ndërkohë që shtegtimi i fundit i serbëve nga Veriu i Evropës drejt Ballkaneve, është shi në shekujt VII-VIII te erës së re. Mirëpo, çuditërisht “të përfolurit” d’Angely e Aref, nuk shohin kurrfarë shtegtimi parailir, përkundrazi shohin një shtrirje të gjerë protoilire (pellazge) në krejt Mesdheun dhe Azinë e vogël, gjer në afri të Malit të famshëm të gjuhëve të Kaukazit. Dhe këtu, në këtë hapësirë gjeografike, na shfaqet Nikolai Marr, me teorinë e tij të famshme të gjuhëve jafetike, ku përfshin edhe vetë shqipen në familjen e gjuhëve të lashta që ai ka qejf t’i shohë si gjuhë protoindoeuropiane, pra para ardhjes së indoeuropianëve. E ç’të keqe ka në fund të fundit? Edhe kjo është, siç dihet, një teori e debatuar fort, sot e kësaj dite, e linguistit të famshëm rus, që bëri bujë në vitet 30 të shek. XX, duke shkaktuar tërë atë polemikë të shkencëtarëve rusë si dhe angazhimin përfundimtar të Stalinit për të hedhur poshtë teorinë e Marrit në vitet 50, pikërisht në kohën kur Stalini i deklaronte prerë Enver Hoxhës se asnjë lidhje nuk ka midis albanëve të Shqipërisë dhe albanëve të Kaukazit!

Në përfundim, do thoshim se parahistoria me parashkencën e vet (gjersa të arrijë objektivin e vet teoriko-shkencor) shfaqet thjesht si një pasqyrë e dhjetëra teorive dhe shkollave, që do ngrihen e bien, do ribien e ringrihen, për aq kohë sa dijetari, kushdo qoftë, dhe i pa paragjykuar, ka të drejtë të shkojë gjer në thellësi të kohërave, në vetë paleontologjinë e Linguistikës e të Historisë. E në rastin tonë, pse jo, gjer tek protoilirët, stër-stërgjyshërit tanë, që me siguri, një ditë do bëhen edhe pikësynim madhor e fisnik i shkencave të avancuara albanologjike.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου