Πέμπτη 15 Σεπτεμβρίου 2011

DODONA PELAZGJIKE DHE TOMOR’I ZOTIT TË PELAZGËVET




“Tomarus mons centum fondibus circa radices,
(Theopompo Celebratur),
Plinius, lib. VI, 7 e VIII, 8, 17”

“Këtë vepër ia kushtoj vendlindjes sime, katundit Vokopola, që për bukuri sheh nga lindja, ditë e natë në madhështi piktoreske, qëndrimin viganor të Tomorit, të veshur me rrobën hyjnore të Natyrës, që ia dhurojnë stinët e motit me ndërrimet e tyre.”
“Këndonjësve të ndershëm të kësaj brochure u kërkoj ndjesë, nëse lënda në disa vende ndoshta se ka renditjen e mirë, gjë që mund të rrjedhë nga shtojcat e mëpastajme, që i janë bërë kësaj vepre gjatë 8 vjetëve punimi, me studime librash përkatëse e gjurmime të ndryshme.
P. I.


TOSKËRIJA E VJETËR ME KRAHINAT E SAJ.
EPIR’I KOHËS SË VJETËR.


PARATHËNIE

Shumë historishkrues dhe disa gjeografë, grekë e romakë të kohës së vjetër, kanë bërë fjalë për Dodonën e Pelazgëve si edhe për malin Tomor, mbi ose praën të cilit ka qenë ky tempull historic në Toskëri (Epir i koës së vjetër). Mirëpo ndonjë gjë e vërtetë dhe e sigurtë nuk u caktua për vendin e kësaj faltoreje në kohët e pastajme, nga se mendimi i disa historishkruesve të rinj e ka kufizuar dhe e ka caktuar atë vis të Dodonës andej nga Janina, pa nxjerr në shesh mirë gjurmimet përkatëse si edhe vërtetimet historiko-arkeologjike.
Habia është se për Tomorin e Shqipërisë së lirë nuk është bërë fjalë aspak, jo më nga të interesuarit e përparshëm (të shekullit të 19-të), por as nga arkeologë të tashëm, as nga shkrimtarë Shqiptarë. Njëfarë mërije me padashje i është kthyer këtij mali në lindje të Beratit, së paku emrit të tij t’i bindeshin, që tingëllon gjerë e gjatë Shqipërisë e që është përmendur nëpër gjeografitë e ndryshme dhe duke ndjekur këtë emër, që s’e ka tjetër mal në Toskëri, të gjurmonin e të kontrollonin shënimet historike të ndryshme, që janë thënë e shkruar për Dodonën e famshme praën ose mbi këtë mal, që ka emrin Tomor.
Nëse Olimpi, mali i përmendur i Greqisë së vjetër, ka rëndësi historike sot, ca më shumë Tomori i Shqipërisë duhet të jetë më i përmenduri si selija parahistorike e Perëndive të vjetra të stërgjyshëve tanë Pellazgo-Illyrianë dhe duhet të ketë një rëndësi historike më shkëlqyese për kohën e vjetër.
“Tomori për shqipërinë e lirë është monument i madh kombëtar”.
Ky libërth është shkruar, jo për tjetër gjë, po vetëm e vetëm për të vërtetën përkatëse. Dihet mirë, se mund të kritikohet guximi i hartimit të tij, pse 75% janë bindur, bota historiko-arkeologjike, që Dodona ka qenë andej nga Janina, se ka mbetur 25% një gjë e metë, që rrëzon edhe pjesën tjetër më të madhe të bindjes, me qenë se janë të meta argumantat për në Janinë.
Shënimet historike të Herodotit, Hesiodit, Pliniusit, Pindarit, Plutarkut, Dionys Perigjitiut, Athanas Stagjiritit, Didymosit, Eustathit dhe shënimet gjeografike të Strabonit, Skymnos Hiosit, të Meletios e Barthelemyt e largojnë nga Janina vetiu Dodonën dhe e sjellin këtej në veri të Toskërisë.
Po të studiohen mirë ato shënime si edhe shënimet e gojëdhënat e këtij libërthi si mjet argumentesh, atëherë mund të merret vesh më mirë e vërteta përkatëse, që deri sot ende nuk është ndriçuar plotësisht.
Zbulimi i sigurtë i vendit të Dodonës është një nga bazat më të para e më të vërteta të historisë pellazgjike dhe rrënja e historisë së rracës sonë iliro-pelazgo-ariane shumë të vjetër, gjë nga e cila po kërkojnë të përfitojnë të tjerë me heshtjen tonë të vazhdueshme, që duhet të bëjmë dhe që po i lëmë pas dore.
Dodona Pelazgjike e Toskërisë ka qenë rrënja e burimi i qytetërimit pelazgo-ilirian dhe greko-romak.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου