Κυριακή 10 Ιουλίου 2011

Atdheu i përkrenares ILIRE

Para një gjysmëshekulli, duke trajtuar përkrenaret trake, B. Shrëderi përshkruante edhe disa përkrenare të tipit ilir, të njohura në atë kohë, dhe i quajti këto si përkrenare karakteristike të Ballkanit Verior1. Më vonë, këto përkrenare, duke u mbështetur në faktin se shtrirja e tyre ishte në krahina të Ilirisë, u quajtën me të drejtë si përkrenare ilire2.

Por, kur nga gërmimet gjermane në Olympia filluan të dalin një numëri mirë kësi
përkrenaresh, u vu në dyshim prejardhja e tyre ilire, dhe, si rrjedhim fjala ilire u pajis qysh prej asaj kohe me thonjëza. Fillon kështu përpjekja për të gjetur
në tokë greke prototipin e përkrenares ilire. Orvatja e parë në këtë drejtim u krye nga E. Kukahni, i cili kujtoi se e zbuloi stërgjyshin e përkrenares sonë në një helmetë të kohës arkaike, të gjetur në ishullin e Qipros dhe e ripagëzoi përkrenaren ilire me një emër të ri, duke e quajtur përkrenare ishullore-ilire3.

Teza e tij se përkrenarja ilire e ka prejardhjen nga simotra e saj arkaike e Qipros, gjeti përkrahje të kufizuar në rrethet shkencore dhe disa arkeologë e përdorin termin ishullore-ilire dhe sot e kësaj dite (kupto vitet e studimit, Vlug). Hulumtues të tjerë, që për njërën ose tjetrën arsye nuk pajtoheshin me emërtimet e sipërme, e pagëzuan përkrenaren tonë helmeta iliro-greke4 ose edhe greko-ilire5.

Pak vjet më parë, E. Kunce, në një studim të hollësishëm që i kushton përkrenares ilire6 e hodhi poshtë me plot të drejtë prejardhjen e saj ishullore, por duke u mbështetur në një përkrenare bronxi në formë koni të periudhës gjeometrike, të zbuluar para pak vitesh në Argo të Peloponezit dhe duke dashur të provonte me çdo kusht prejardhjen greke të përkrenares ilire, sheh tani tek kjo prototipin e helmetës sonë.

Për nga ndërtimi dhe forma e saj e jashtme, po të përjashtojmë në këtë mes kornizën katërkëndëshe të fytyrës, përkrenarja e kohës gjeometrike, e gjetur në Argos nuk ka asgjë të përbashkët me përkrenaren ilire; vetë Kunces i është dashur të pohonte se ndërmjet përkrenares ilire dhe asaj të Argos ka një shkëputje të thellë dhe se përkrenarja ilire duhet të merret si një fillim i ri7.

Me gjithë këtë konstatim dhe mungesën e plotë, deri më sot të paktën, të një përkrenareje që mund të shërbente si kapërcim ndërmjet përkrenares së Argos dhe shoqes së saj ilire, vazhdohet të ngurohet në prejardhjen helene të përkrenares sonë dhe bëhen përpjekje për ta vërtetuar këtë prejardhje duke u mbështetur në disa argumenta të tjera jo fort bindëse.

Siç dihet në Olympia është zbuluar një sasi e madhe përkrenaresh ilire. Këto zbulime si edhe gjetja e përkrenares gjeometrike të Argos kërkohen të lidhen ngushtë me njëra-tjetrën dhe të vlerësohen si argument për të vërtetuar prejardhjen peloponeze të përkrenares sonë.

Shumica dërrmuese e objekteve arkeologjike të zbuluara në Olympia, në radhë të parë armët, janë ex-voto, kushtime të sjella nga të katër anët e botës antike. Ky është një një fakt i njohur dhe nuk kemi pse të zgjatemi në këtë pikë. Prandaj, gjetjet e Olympisë nuk kanë, asnjë fuqi vërtetuese, aq më tepër në çështjen e përkrenares ilire, të cilat nuk dime të kenë dalë në dritë në asnjë vend tjetër të Peloponezit.

Pra nuk ka asnjë arsye bindëse që përkrenaret ilire të jenë përdorur në dhe aq më pak të jenë prodhuar në Peloponez. Nga ana tjetër, dihet se Epidami-Dyrrahu ka pasur në Olympia një thesauros të vetin dhe se apoloniatët, me një të dhjetën e plaçkës që zunë pas pushtimit të qytetit ilir Thronion, ngritën po në Olympia një përmendore të madhe skulpturale të punuar prej njërit nga mjeshtrit më të mirë të kohës, nga Lykia, i biri i Myronit. Dihet gjithashtu fare mirë se të dy kolonitë e përmendura greke të bregdetit ilir kanë qenë vazhdimisht në luftë me ilirët.

Prandaj është afër mendjes se një pjesë e plaçkës së zënë, në radhë të parë armët, kanë qenë depozituar në shenjë falenderimi në Olympia. Përkrenarja me mbishkrimin "jam i Verzanit të (birit të) Grabos", e zbuluar në Olympia nuk mund të ketë prejardhje tjetër veçse nga brigjet ilire të përmendura, ku ky emër thjesht ilir është i njohur dhe përmendet edhe në mbishkrimet8.

Në rastin tonë nuk mund të jetë fjala për një dhuratë nga vetë Verzani, por për një kushtim nga kolonistët helenë, të cilët korrën në një betejë të papërcaktuar mirë një fitore të madhe kundër ilirëve. Në këtë betejë ra, me sa duket, dhe vetë udhëheqësi i ilirëve, dhe përkrenarja e tij që u mor si trofe përfundoi më në fund në Olympia si ex-voto. Tek ky Verzan ne duhet të shohim ndoshta të birin (apo gjyshin) e atij Grabos, i cili në gjysmën e parë të shek. IV p.e.s ishte i lidhur në aleancë me Olynthin kundër Maqedonisë9..

Përkrenare të tjera ilire me vendgjetje të sigurt, të dala nga toka greke, njohim vetëm dy, njëra e zbuluar në Akropolin e Athinës, tjetra në Lindos të Rodit10. Ajo e Akropolit është shënuar me grafitin Αθηναια , është pra një kushtim që i bëhet Athinasë (dhe si ex-voto hyn në grupin e përkrenareve të Olympisë), prandaj nuk ka as për këtë helmetë ndonjë arsye pse të vlerësohet si dokument për të vërtetuar që kjo formë përkrenareje të ketë qenë helene.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për përkrenaren ilire të Lindos, të zbuluar në gërmadhat e tempullit të Athinasë, e cila gëzonte një nderim të madh në botën helene. Edhe këtu nuk mund të jetë fjala veçse për një trofe, që iu rrëmbye në luftë kundërshtarit dhe u depozitua në tempullin e Athinasë në shenjë mirënjohjeje ndaj perëndeshës që i dha dorë në një fitore të panjohur të korrur kundër barbarëve ilirë ose maqedonas. Pra edhe kjo përkrenare duhet të përjashtohet si dokument vërtetues i prejardhjes helene të përkrenares sonë11.

Janë bërë përpjekje për të vlerësuar si mbështetje për dokumentimin e prejardhjes helene të përkrenares ilire edhe dy përkrenare të Muzeut të Athinës12, që kanë pasë hyrë në inventarin e këtij muzeu para Lufëts Ballkanike, d.m.th. para se të hynin në përbërien e shtetit grek toka epirote, maqedone e trake. Por, ky pohim, sipas mendimit tonë, nuk mjafton për të vërtetuar se përkrenaret në fjalë dolën në dritë me të vërtetë brenda truallit të Heladës antike.

Ne dimë se kleri i lartë i shërbimit fetar ortodoks, në mbarë vilajetet shqiptare e maqedone të kohës turke, përbëhej nga shtetas helenë apo elementë besnikë të megali idesë greke dhe se - e kam fjalën këtu për vendin tonë - shumë monumente arkeologjike, vepra arti, kodikë etj. që u ranë në dorë këtyre morën rrugën për në Patriarkanën e Stambollit dhe, nëpërmjet kësaj, për në Athinë.

Është bërë përpjekje për ta mbështetur tezën e prejardhjes greke të përkrenares ilire edhe me argumete të tjere, në radhë të parë të nxjerra nga thesari i pasur figurativ i vazove. Por edhe këtu, dokumentimi është shumë i çalë dhe nuk qëndron veçse me pahir në këmbë. Nga mijëra e mijëra përkrenare të pikturuar mbi një vazot, numërohen me gisht ata pak ekzemplarë që mendohen se shëmbëllejnë me përkrenaret ilire13.

E sigurt është vetëm përkrenarja e pikturuar mbi një vazo të Ruvos (Apulje), sot në Muzeun e Bolonjës, por kjo ka të keqen se mbron kokën e një amazone dhe jo të luftëtarëve helenë14. Sikurse dihet, në artin figurativ grek, amazonat pajisen, pothuajse pa përjashtim pa armë, që ndryshojnë kryekëput prej atyre të kundërshtarëve të tyre helenë, prandaj nuk ka asnjë arsye bindëse pse pikërisht përkrenarja që mbron kokën e amazonës mbi enën e Ruvos të jetë greke. Meqënëse në gjuhën e artit helen amazonat zakonisht unifikohen me barbarët, d.m.th. me popujt jo grek, piktori i vazos në fjalë i veshi amazonës një nga përkrenaret barbare që njihte ai vetë, përkrenaren ilire. Në skulpturë nuk njohim deri më sot veçse paraqitje përkrenaresh tipike helene, asnjë ilire.

Ena e Ruvos nuk është e vetmuar. Edhe mbi një objekt tjetër arkeologjik na përfytyrohet në mënyrë të qartë përkrenarja ilire, mbi një pjatë argjendi, të zbuluar në një varr tumular të një prijësi trak15. Njëri nga luftëtarët e hipur mbi katër karrocat që zbukurojnë në reliev buzët e një pjate argjendi, mban mbi krye një përkreare ilire. Mbishkrimi Δαδαλεμε i ngulitur në buzët e saj, mbishkrim ky që përsëritet në të gjitha enët prej argjendi të gjetura në të njëjtin varr dhe që nga botuesit shpjegohet si emër trak16, na mëson se enët në fjalë ka shumë të ngjarë të jenë punuar me porosi. Prandaj edhe artisti nuk ka veshur figurat e tij me helmetat e njohura greke, por me të tilla që mbaheshin më tepër nga popujt johelenë të Ballkanit. Sikurse shohim edhe në këtë rast, përfytyrimi nuk vërteton veçse të kundërtën e asaj që kërkohet të nxirret.

1. B. Schörder, Thrakische Helme, "Jahrb.d.d.arch.Inst.", vol. XXVII 1912, fq.343.
2. I pari që shprehu mendimin se përkrenaret ilire duhet të kenë qenë përpunuar nga vetë ilirët ka qenë C. Truhelka shih "Wissensehaft Mitteil. aus Bosnien und d. Herzegovina", vol. VIII-1902, f.8.
3. E. Kukahh, Der griechische Helm, Marburg, 1936, f. 53-55.
4. M. Garasanin, Ilirsko-grcki slem iz Razane, në "Vesnik vojnog muzeja" Nr. (1957) 37 vv.
5. L. Berciu, Le casque greco-illyrien de Gostavat, në "Dacia" II (1958) fq. 437-450. Shih edhe "Studi si cercetari de istorie veche" 1 (1959) 188.
6. K. Kunze, VI, Berich über die Ausgrabungen in Olympia, Berlin, 1958, f. 118, v., shih edhe III Bericht über die Ausgrabungen in Olumpia, "Jahrb. d.darch.Inst." 56 (1941) 106-108.
7. Kunze, VI Bericht, f. 125.
8. H. Krahe, Lexion altillyrischer Prsonennamen, Heidelberg 1929, f. 75 e 126. Shih nga i njëjti autor edhe Sprache d. Illyrier I; 1955, f.83. I njëjti emër (Βερσαντος) ndeshet edhe mbi një kionisk helenistik të Dyrrahut, V. Toçi, Mbishkrime e relieve nga nekorpoli i Dyrrahit, "B.U.Sh.T., Seria Shk. Shoq." 2 1962, fq. 72-73/
9. Shih "Jahrb. d.d.arch.Inst." LIII/1938, "A.A.", Kol 574 10, Schröder, po aty., fq. 340. 11,5 dhe 16,2
10. Ch. Blinkenberg, Lindos I, Copenhagen 1919, Tab. 22, 570.
11. Edhe Konze, VI, Bericht, f. 137, shënimi 30, është i detyruar të pohojë se tempulli i Athinasë në Lindos gëzonte një nderim të madh në botën helene dhe prandaj vlera vërtetuese e përkrenares ilire të Lindosit, në çështjen e përhapjes së saj drejt Lindjes greke, duhej të merrej me rezervë. Kunze e provon pra tërthorazi se përkrenarja ilire mund të jetë sjellë në Lindos ex-voto, por nuk nxjerr të njëjtin konkluzion për Olympian, që ishte qendra e shenjtë më e madhe dhe më e adhuruar e grekëve, dhe ku gërmimet kanë nxjerrë në dritë sa e sa armë të pajisura me mbishkrime kushtimi, të sjella nga të katër anët e botës helene dhe johelene, duke përfshirë këtu dhe kolonitë.
12. De Ridder, Bronzes de la soc.arch. Nr. 483, 484; Schröder, po aty., f. 342, tab. 16, 1.
12. Një orvatje për të dalluar mbi vazot korintike përfytyrime të përkrenares ilire bën Schröderi, po aty., f. 340. Shih edhe Kunze, Bericht VI, f. 137, si edhe shënimin 31. Për këto përfytyrime, Kunze thotë se ka të ngjarë se paraqesin përkrenare ilre.
13. E. Pfuhl. Malerei und Zeichnung d. Griechen u.Römer, München 1923, tab. 187/188, f. 504.
14. B. Filow-Iv. Welkow, Grabhügelfunde aus Duvanlii in Südbulgarien, "Jahrb.d.darch.Inst." vol XLV-1930, f. 288 vv.
15. Tashti së fundi G. Georgiev (Trakijskiat ezik, Sofje 1957, f. 5) sheh tek mbishkrimi Δαδαλεμε një fjali trake dhe e shpjegon këtë me gjuhën e sotme shqipe, por kjo nuk e ndryshon aspak, bile do të thoshim se e përforcon më shumë tezën e prejardhjes ilire të përkrenares sonë. Por shih edhe E. Çabej, Una le proale istoriei limbii albanese, "Studii si cercetari linguistice" 4 (1959) 552 vv.
16. Mbi literaturën përkatse.



Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου